"MISH DHE KOCKA: Mbi trupin, identitetin dhe pushtetin" nga Olsi Lelaj, bën bashkë katër projekte kërkimore të zhvilluara gjatë viteve, brenda kuadrit të gjerë të fushës së antropologjisë së modernitetit. Në fokus është trupi jo thjesht si një entitet biologjik, por si një hapësirë simbolike ku ndërthuret dhe pikëtakohet individualja me kolektiven, natyrorja me kulturoren, ndjesorja me politiken, dija me pushtetin shtetëror. Secila prej eseve që paraqitet këtu analizon konfigurimet historike, politike, sociale dhe kulturore të përdorimit të trupit, duke nxjerrë në pah mënyrën se si lëkura, mishi dhe kockat kthehen në fushëbeteja në të cilat artikulohen dhe përplasen konfigurime dhe sisteme më të gjera ideologjike, epistemike dhe ndjesore.